“Koha e dorëheqjeve morale do të vijë”, Rama: 100 herë të kthehesha pas, do të zgjidhja reformën në drejtësi

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2026, 12:45 | Aktualitet

“Koha e dorëheqjeve morale do të vijë”, Rama: 100

Kryeministri Edi Rama deklaroi se, edhe sikur të kthehej pas në kohë, do ta zgjidhte sërish reformën në drejtësi, duke hedhur poshtë pretendimet se ajo ka dështuar. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist kreu i qeverisë theksoi se ta quash reformën në drejtësi dështim nga pozitat e atyre që e projektuan dhe miratuan, do të thotë të mos shohësh përtej kostove të momentit.

“Në një bisedë mes shokësh mu tha copë që unë duhet të ndjehem përgjegjës për reformën në drejtësi sepse jam unë fajtori kryesor që kjo reformë ka prodhuar këto efektet e dëmshme anësore. Jam i bindur që jo vetëm ata por do ketë plot këtu që mendojnë njësoj si ata i përmbledhin me në një fjalë që unë nuk e kam thënë e nuk do ta them; dështim ta quash dështim reformën në drejtësi je në të drejtën e detyrën tënde për të vënë alarmin por ta quash dështim nga pozitat e grupit projektues e miratues të saj do të thotë që të mos shohësh më larg ditës së sotme e mos llogarisësh përtej kostove aktuale dhe mos vlerësosh më shume se vetë komoditetin tënd. Unë jam kokëfortë në bindjet e mia. Nuk gjej asnjë arsye strategjike për ta pranuar opinionin se reforma në drejtësi ka dështuar dhe aspak për kokëfortësi. 100 herë të kthehesha mbrapsht 100 herë do të zgjidhja reformën në drejtësi”, tha Rama.

Rama tha se koha e dorëheqjeve morale do të vijë, por vetëm pasi të kalojë, sipas tij, faza revolucionare e pavarësisë së drejtësisë. Sipas tij Shqipëria aktualisht figuron me rekord të zymtë europian.

“Koha e dorëheqjeve morale do të vijë, por pasi të kalojë kjo fazë revolucionare e pavarësisë së drejtësisë ku Shqipëria figuron me rekord të zymtë europian që unë e përsëris dhe u fut edhe në Guinnes si vendi unikal i historisë së botës, ku një gjykatës i jep të drejtë një prokurori për të pezulluar një ministre apo një gjykatës Apeli i jep të drejtë vetes që t’ia kërcasë kokës dyfish dënimin atij që shkon ankohet për të marrë një dënim më të lehtë. Këto janë rekorde për Guinnes nuk kanë ndodhur ndonjëherë”, tha Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos