25 të rinj nga mbarë bota kanë zgjedhur Shqipërinë për një mision që në fakt do të duhej të udhëhiqej nga vetë të rinjtë shqiptarë, mbrojtjen e ekosistemit të lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës. Por si në shumë fusha të jetës sonë, edhe këtu duket se shembullin apo pritshmëritë i kemi nga të huajt.
Këta të rinj ndihen krenarë që një lum i egër si Vjosa ndodhet në kontinentin europian ku ata jetojnë dhe pritshmëritë i kishin që edhe të rinjtë shqiptarë t’i bashkoheshin kësaj nisme. “Jemi mbi 20 vullnetarë dhe kemi mundur të mbjellim mbi 3000 fidanë në zonat e përcaktuara si më problematike sa i takon rrezikut nga erozioni dhe mbrojtjes nga lumi i vjetër Vjosa dhe ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit”, thotë njëri prej tyre.
“Bashkëpunimi me të rinjtë e zonës është shumë i rëndësishëm. Të rinjtë e zonës mund të vijnë pasi i kemi informuar dhe i kemi bërë fushatë ndërgjegjësuese, por me sa duket duhet akoma punë edukuese edhe në shkolla për të sensibilizuar të rinjtë mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës”.
Në fund mesazhin kanë zgjedhur ta japin edhe në shqip. “Lumi i lirë”. (A2 Televizion)