
Ministria e Arsimit ka reaguar pas publikimit në media mbi rastin e shkeljes së rëndë profesionale dhe etike nga ana e një mësueseje. Në informacionin e shpërndarë në media Ministria njofton se ka pezulluar sot nga detyra mësuesen.
“Pas materialit të transmetuar në një emision investigativ, mbi rastin e shkeljes së rëndë profesionale dhe etike nga ana e një mësueseje, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë, ka ngritur menjëherë grupin e punës për të ndjekur situatën nga afër dhe realizuar takime me drejtues të shkollës, psikologë e prindërit e nxënësve të përfshirë në videon e transmetuar. Me vendim të datës 25 shkurt 2026, janë ndërprerë menjëherë marrëdhëniet e punës me mësuesen”, njofton Ministria.
Në lidhje me rastin ministria bën të ditur se është njoftuar edhe Policia e Shtetit për ndjekjen e procedurave përkatëse.
“Sipas Urdhrit nr.31, datë 28.01.2020, lidhur me trajtimin e sjelljeve të dhunshme të mësuesve ndaj nxënësve, janë njoftuar Policia e Shtetit për ndjekjen e procedurave përkatëse si dhe Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve për të vlerësuar çdo indikator të mundshëm të një situate risku për fëmijët. Ky proces synon të garantojë transparencë të plotë dhe reagim të menjëhershëm institucional ndaj çdo situate që lidhet me sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve në institucionet arsimore”.
Grupi i punës vijon me procesin e mbledhjes dhe verifikimit të të dhënave, në përfundim të të cilit do të hartohet një raport i detajuar për përgjegjësitë e të gjitha hallkave. (A2 Televizion)