“Mungesa e gjumit shkakton infarkt”, paralajmërimi i mjekut

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2026, 12:25 | Aktualitet

I ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, mjeku i sportit, Altin Erindi, foli për rëndësinë e gjumit në rivitalizimin fizik dhe psikik. Gjumi mund të konsiderohet si “bateria” e organizmit njerëzor, mirëpo moderniteti me frenetizmin që e karakterizon, ka dëmtuar cilësinë e gjumit, duke rrezikuar më pas efekt “domino” në të gjithë trupin.

Sipas mjekut, njeriu duhet të flejë në mesatare rreth 7 orë në ditë, mirëpo ai bën një diferencim, ku për fëmijët kjo rutinë duhet të jetë e panegociueshme. Kjo vjen si rezultat i rritjes dhe për të pasur një zhvillim sa më të mirë, mjeku rekomandon që fëmijët të flenë përpara orës 10 të mbrëmjes. “Fëmijët duhet të flenë para orës 10 sepse hormoni i rritjes kalon në organizëm me ritmet më të larta në orën 10:30”, tha mjeku.

Mjeku gjithashtu theksoi që problemet e gjumit më të shkaktojnë infarkt te miokardit, sidomos në rastet e deprivimit të gjumit, por edhe të mos-respektimit të ritmit kardiak. “Personat që nuk kanë një gjumë të rregullt natën kanë predispozitë më të lartë për infarktin e Miokardit”, tha ai.

Ndërkohë, zgjidhjet për ta rregulluar gjumin janë specifike për çdo person, mirëpo mjeku sugjeroi që melatonina është një medikament mjaft i mirë për personat me probleme gjumi dhe gjithashtu ai rekomandoi që të rriturit duhet të flenë në një orë rutinë, kryesisht rreth orës 10:00 ose 11:00.

Gjumi mbetet një proces natyral i panegociueshëm dhe për të pasur një jetë të shëndetshme, duhet medoemos të kemi një gjumë të shëndetshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos