
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka kundërshtuar projektligjin që parashikon ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e cilësuar një dispozitë si problematike dhe antikushtetuese.
Sipas deklaratës së shpërndarë për mediat kundërshtohet neni që synon të konfirmojë automatikisht dhe pa garë kryetarët aktualë të gjykatave të shkallës së parë dhe apelit deri në 31 dhjetor 2028. Sipas Shoqatës, kjo cenon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili është organi i vetëm që emëron dhe ngre në detyrë gjyqtarët, raporton A2 CNN.
Shoqata thekson se dispozita shkel parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit, pasi Kuvendi ndërhyn në një kompetencë që i takon KLGJ-së. Po ashtu, ajo kritikon faktin që ndryshimi nuk zbatohet për gjykatat e posaçme, duke krijuar standarde të dyfishta.
Gjyqtarët kujtojnë se KLGJ-ja ka miratuar procedurën për zgjedhjen e kryetarëve, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar 2026, dhe se tentativa të ngjashme më parë janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Shoqata i bën thirrje Kuvendit të respektojë standardet e shtetit të së drejtës dhe jurisprudencën kushtetuese.
Deklaratë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë është njohur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, si pjesë e një pakete ndryshimesh të ligjeve të reformës në drejtësi, të dërguar nga ana e Kuvendit, për konsultim. Në parim, Shoqata është shprehur gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me Kuvendin dhe çdo institucion tjetër në përmirësimin e kuadrit ligjor që normon statusin e magjistratëve si dhe organizimin dhe veprimtarinë e organeve të drejtësisë dhe të qeverisjes së tyre. Megjithatë, kjo Shoqatë thekson se çdo ndryshim normativ duhet të jetë i kujdesshëm, të mos bjerë ndesh me parimet themelore të shtetndërtimit, si ndarja dhe balancimi i pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit, si dhe duhet të synojë perfeksionimin e ligjeve bazë të reformës në sistemin e drejtësisë dhe jo të zhbëjë sukseset e arritura deri tani në këtë drejtim.
Shoqata konstaton se në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, të paraqitur nga ana e Kuvendit, ndër të tjera, prezantohet edhe një normë e cila vlerësohet si shumë problematike nga pikëpamja kushtetuese. Konkretisht bëhet fjalë për nenin 12 të këtij projektligji, që synon të shtojë nenin 170/3 në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ne Republikën e Shqipërisë”. Nëpërmjet kësaj norme, kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur sakaq garën për këto poste drejtuese në pushtetin gjyqësor.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë thekson se një dispozitë e tillë, së pari, tenton të uzurpojë pushtetin që Kushtetuta i ka dhënë Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimin e kryetarëve të gjykatave. Në nenin 147/a, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës, parashikohet se Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve. Emërimi në pozicionin e kryetarit të gjykatës konsiderohet si ngritje në detyrë sipas ligjit nr. 96/2016 dhe për këtë mund të disponojë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor. Së dyti, në mënyrë të çuditshme, kjo dispozitë shtrihet vetëm ndaj gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm dhe atyre administrative dhe nuk përfshin gjykatat e posaçme, duke mos cenuar në rastin e këtyre të fundit, me të drejtë, standardet kushtetuese. Së treti, projektligji nuk mban në konsideratë faktin se KLGJ-ja tashmë ka miratuar aktin normativ përkatës lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, akt i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2026 dhe pritet t’i sjellë efektet shumë shpejt, me hapjen e garës për postet e kryetarëve në këto gjykata, si dhe faktin se për një periudhë prej gati gjashtë vitesh gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit janë drejtuar nga zëvendëskryetarët, të cilët kanë ushtruar funksionet e kryetarit në detyrë. Kjo gjë e bën jo vetëm të panevojshëm caktimin e kryetarëve të gjykatave nga ana e Kuvendit, por sjell edhe cenimin e parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Shoqata sjell në vëmendje se edhe tentativa të ngjashme për miratimin e normave të tilla me karakter ad personam kanë dështuar pasi janë përballur me gjykimin kushtetues. Përmendim këtu vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është shfuqizuar, ndër të tjera, neni 161, pika 3, e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dispozitë e cila synonte të ndërpriste mandatin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë si dhe të kryetarëve të gjykatave të tjera. Në këto rrethana, Shoqata fton Kuvendin e Republikës së Shqipërisë që të mos përpiqet të cenojë standardet e shtetit të së drejtës, duke dëmtuar arritjet e realizuara përmes ngritjes së organeve të reja të qeverisjes së pushtetit gjyqësor, pushtet i cili është në përfundim të procesit të reformimit si dhe që të mbajë në konsideratë jurisprudencën udhërrëfyese të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, ajo është në çdo moment e hapur për të bashkëpunuar dhe ofruar kontributin e saj në përmirësimin e procesit të ligjbërjes.
(A2 Televizion)