Rreth 20 banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore nën ujë nga çarja e argjinaturës së lumit Seman

Nga Çaku Tafa
13 Janar 2026, 10:22 | Aktualitet

Rreth 20 banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore nën

Çarja e argjinaturës së lumit Seman në disa segmente ka shkaktuar përmbytje të rënda në fshatin Hasturkas, në njësinë administrative Libofshë, duke vënë nën ujë qindra hektarë tokë bujqësore dhe rreth 20 banesa. Situata është përkeqësuar gjatë natës, kur niveli i ujit ka vijuar të rritet, duke detyruar banorët të qëndrojnë në gatishmëri të plotë mes frikës dhe pasigurisë, shkruan A2 CNN.

Përgjatë gjithë natës janë evakuuar 9 persona, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre, ndërsa disa familje shprehen të shqetësuara për fatin e njerëzve të tyre me të cilët kanë humbur kontaktet për shkak të izolimit të zonës nga uji. Banorët tregojnë se përmbytja ka ardhur papritur, duke mos u lënë kohë të shpëtojnë orenditë shtëpiake apo bagëtitë, pwrcjell A2 CNN.

Në zonë kanë mbërritur forcat e ushtrisë, të cilat po operojnë me varka, veçanërisht pranë zonës detare dhe stallave të bagëtive, për të evakuuar jo vetëm çobanët, por edhe krerët e bagëtive të mbetura të rrezikuara nga uji. Operacioni i evakuimit po zhvillohet në kushte të vështira, ndërsa prurjet e lumit vijojnë të mbeten të larta, raporton A2 CNN.

Banorët e Hasturkasit fajësojnë njëzëri institucionet përgjegjëse për mosmarrjen e masave në kohë, duke theksuar se argjinatura e Semanit ka qenë prej vitesh e amortizuar dhe problematike, pa ndërhyrje serioze për forcimin e saj. Sipas tyre, kjo situatë ishte e paralajmëruar dhe mund të ishte shmangur me investime parandaluese.

Ndërkohë, autoritetet lokale janë në terren për vlerësimin e dëmeve, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë një bilanc më të qartë të situatës dhe të pasojave që përmbytja ka lënë pas, si në bujqësi ashtu edhe në banesa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos