Rreth 5 200 objekte e banesa të prekura nga përmbytjet në Durrës, banorët kërkojnë masa parandaluese

Nga Elitjona Doko
13 Janar 2026, 10:56 | Aktualitet

Rreth 5 200 objekte e banesa të prekura nga përmbytjet në

Tetë ditë pas përmbytjeve që prekën qarkun e Durrësit, banorët e zonave më të dëmtuara apelojnë për masa konkrete parandaluese nga shteti, me qëllim që situata të mos përsëritet më, përtej procesit të dëmshpërblimit.

Sipas bilancit paraprak të grupeve të punës në terren, rreth 5 200 objekte janë prekur nga përmbytjet, prej të cilave 1 200 janë banesa. Grupet e verifikimit po kryejnë akt-konstatimet derë më derë, për të evidentuar dëmet e shkaktuara, raporton A2 CNN.

Zona e ish-kënetës rezulton më e prekura, me numrin më të lartë të banesave që kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Probleme serioze janë konstatuar edhe në Shkozet, Plazh dhe Spitallë. Ndërkohë, me qindra banesa të përmbytura janë evidentuar edhe në Sukth dhe Katund të Ri, ku procesi i verifikimit vijon.

Një grup pune realizon mesatarisht 30–40 akt-konstatime në ditë, me synimin që faza e verifikimit të përfundojë sa më shpejt. Kjo fazë pasohet nga një tjetër, ku do të bëhet përllogaritja e dëmeve, shkruan A2 CNN.

Pjesa më e madhe e personave të evakuuar janë rikthyer në banesat e tyre. Përjashtim bëjnë familjet e strehuara në konvaleshencën e Ministrisë së Rendit dhe në shtëpinë e pushimit të oficerëve, për të cilat ndiqen procedura të veçanta rikthimi.

Paraprakisht, grupet e punës do të kryejnë kontrollin teknik të banesave për të përcaktuar nëse ato janë të banueshme, përpara se të merret vendimi përfundimtar për rikthimin e banorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos