Presidenti Begaj vizita në selitë e komunitetit ortodoks dhe atij katolik, uron Ditën e Pashkës

Nga A2 CNN
20 Prill 2025, 13:44 | Aktualitet

Presidenti Begaj vizita në selitë e komunitetit ortodoks dhe atij

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot për Ditën e Pashkës besimtarët e krishterë shqiptarë, ata ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, që të kenë shpresë e besim në zemrat dhe jetët e tyre, si dhe mirëkuptim mes njëri-tjetrit.

Kreu i Shtetit zhvilloi vizita të veçanta në selitë e komunitetit ortodoks dhe atij katolik, ku ndau me klerikët e këtyre besimeve urimet dhe mesazhet që burojnë nga Pashka.

Në kishën “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Presidenti Begaj u prit nga Kreu i kishës Ortodokse Autoqefale, Fortlumturia e Tij, Joan Pelushi, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, krah të cilit përcolli dhe urimin: “Është shpresë, është besim, është gëzim, është një shenjë, e cila na fton për më shumë dashuri dhe për më shumë mirëkuptim mes nesh. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë dhe besimtarët ortodoksë për shumë gëzime, begati, paqe dhe shpresë në këto Pashkë të bekuara!” - deklaroi Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit i përcolli Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Joan, urime të përzemërta për shërbesën e Pashkës së parë në krye të fronit ortodoks shqiptar. Ndërsa e cilësoi këtë ditë si përbashkuese për besimtarët e krishterë, Kreu i Shtetit i përcolli një mesazh të veçantë të rinjve shqiptarë: “Meqenëse kjo është ditë që e përbashkon të gjithë besimin e krishterë, qoftë besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, është një ditë me një mesazh shumë të fortë, të cilën sapo e përmendi Kryepeshkopi, për të rinjtë që kanë filluar të frekuentojnë meshat dhe shërbesat. Me këtë rast, unë dua të uroj për ta një të ardhme sa më të ndritur këtu, në vendin tonë”.

Më pas, Presidenti Begaj zhvilloi një vizitë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, i Kishës Katolike të Shqipërisë. Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e kryerjes së veprave të mira në mënyrë që, siç u shpreh ai, vlerat të triumfojnë mbi antivlerat: “Uroj në këtë ditë të shenjtë të gjithë besimtarët e krishterë katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë: Pashkë të bekuara, të paqta, të begata e të gëzuara për çdo besimtar e për çdo familje shqiptare!

Le të jetë drita e kësaj dite një shenjë mirëkuptimi dhe besimi për atë çfarë është më e rëndësishme në jetë. Në jetët tona të bëjmë mirësi dhe e mira dhe vlerat të triumfojnë mbi antivlerat.

Uroj për çdo shqiptar, për çdo besimtar, gëzuar Pashkët!”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos