KQZ hap tenderë për zgjedhjet, nevojitet transport për materialet dhe shërbim për gjuhën e shenjave

Nga A2 CNN
7 Maj 2025, 16:44 | Aktualitet

Nga transporti i materialeve zgjedhore te shërbimi për interpretimin e gjuhës së shenjave, bashkë me kamerat për monitorimin e procesit të numërimit të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur një seri procedurash tenderuese në prag të zgjedhjeve të së dielës.

KQZ kërkon një kopani që do të bëjë transportin e bazës materiale nga Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor drejt Qendrave të Votimit më 10 maj dhe anasjelltas një ditë më pas, më 11 maj.

Duke argumentuar se shërbimi i gjuhës së shenjave është thelbësor për të siguruar akses dhe përfshirje të plotë të qytetarëve me dëmtim të dëgjimit në procesin zgjedhor, KQZ kërkon interpretuese për deklaratat që Ilirjan Celibashi apo përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të kenë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithashtu ka shpallur hapjen e tenderit, për krijimin e një sistemi për indeksimin dhe kërkimin e pamjeve filmike, si dhe shtimi i kapaciteteve për ruajtjen e pamjeve filmike. Fondi limit i përllogaritur është 35 milionë e 550 mijë lekë.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, ngritja e një sistemi të arkivimit për ruajtjen dhe menaxhimin e regjistrimeve mediatike zgjedhore kanë një vlerë të jashtëzakonshme për transparencën dhe monitorimin e zgjedhjeve.

Aktualisht, arkivimi dhe kërkimi i pamjeve është i fragmentuar dhe jo efikas, duke e bërë të vështirë qasjen dhe analizimin e tyre në kohë reale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos