Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka pritur sot në zyrën e tij Ambasadorin Lamberto Zannier, Kreun e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 Majit që do të zhvillohen në Shqipëri.
Përgjatë këtij takimi, Ministri Hasani ka nënvizuar se “Shqipëria vlerëson fort asistencën e OSBE/ODIHR gjatë proceseve zgjedhore dhe ne mbetemi të vendosur për të zbatuar rekomandimet, duke shfrytëzuar njëkohësisht ekspertizën dhe ndihmën e tij”.
Ndër të tjera, ministri i Jashtëm ka cilësuar edhe angazhimin e vendit tonë për të organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, në përputhje të plotë me standardet e OSBE/ODIHR.
“Shqipëria mbetet një mbështetëse e palëkundur e mandatit të ODIHR dhe rolit që ai luan në mbrojtjen e lirive themelore”, nënvizoi Hasani. (A2 Televizion)