Krishti u ngjall! Me të vërtetë u ngjall! Këto thirrje jehuan mes mijëra besimtarëve ortodoksë mesnatën e së shtunës në katedralen e madhe në Tiranë, por edhe ne të gjithat kishat e tjera ortodokse të vendit.
Në Tiranë mesha e shenjtë u mbajt nga Fortlumturia e tij Joani, kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. Gjatë shërbesës madhështore të Ngjalljes së Krishtit, kryepiskopi tha se kjo ditë e gjen botën më të trazuar nga luftërat dhe më të pasigurt për të nesërmen.
Gjatë mesazhit të Pashkës Fortlumturia e tij Joani, foli për ngjarjen e madhe të besimit Ortodoks, për fitoren e Jezus Krishtit mbi vdekjen. Ndërsa shprehu shqetësimin se sot shoqëria, bota po përballet mënjë tjetër lloj vdekje, mpirjen, ngurtësimin e zemrës dhe tharjen e shpirtit.
Pas liturgjisë së shenjtë, besimtarët morën dritën përmes qirinjve e cila simbolizon, fitoren ndaj errësirës dhe vdekjes. Ndërsa mes tyre është bërë dhe thyerja e vezëve të kuqe, si triumf i jetës mbi vdekjen.
Rënia e kambanave ka njoftuar Ngjalljen e Krishtit edhe tek besimtarët në rrethe. Në Korçë, Fier, Vlorë, Gjirokaster e kudo janë mbajtur mesha dhe janë zhvilluar kremtime për festën më të rëndësishme të besimtarëve ortodoksë.
Mesazhe paqeje janë shpërndarë nga klerikët nga çdo kishë e vendit. Sipas ritit fetar besimtarët kanë çuar dritën e re në shtëpitë e tyre, simbol i shpresës dhe bekimit (A2 Televizion)