Gripi agresiv që qarkullon në Australi dhe Hemisferën Jugore do të vijë edhe në Shqipëri. Kështu u shpreh mjeku Skënder Brataj në Ditarin me Bruna Çifligun në A2 CNN, i cili paralajmëroi fashat më të rrezikuara për të marrë masa mbrojtëse.
“Nuk është grip ndryshe, por ka veti të mutacioneve prandaj çdo vit këshillohet vaksina. I referohemi fashave në rrezik që nga të vegjlit, të moshuarit që kanë mekanizmat mbrojtës dhe imunitetin më të ulur dhe njerëzit me sëmundje bashkëshoqëruese. Këto janë fashat më të rrezikshme në të gjithë shoqërinë”, tha Brataj në A2 CNN.
Brataj theksoi se janë 4 lloje gripërash por vetëm dy prej janë më të përhapur, ndërsa në aktualisht po qarkullon edhe gripi B me nënllojin Viktoria, i cili ka shtuar të infektuarit në Australi, si edhe shtrimet dhe urgjencat.
“Dy herë në vit qarkullon gripi se Hemisfera e jugut është në dimër dhe gripi që kalon hemisferën e jugut aktualisht do të aktivizohet. Janë katër lloj gripërash, A, B, C dhe D. Më të përhapura janë A dhe B, C është më e lehtë dhe D është gripi i kafshëve që nuk rrezikon, por është në vëzhgim. Çdo vit kalon A dhe B. Pjesa më e madhe është A, por varet kush mbizotëron atë sezon. Në këtë moment në Australi është h1 n1 dhe do të kalojë me patjetër në Europë. Por edhe gripi B me nënllojin Viktoria po qarkon në këtë moment dhe do të kapin Europën dhe Shqipërinë”, deklaroi Brataj në A2 CNN..
Brataj paralajmëron rritje dhe përhapje të këtij gripi, por nuk e shikon situatën alarmante, teksa sugjeron vaksinimin nga gripi për ata që rrezikojnë përfshirë edhe mjekët.
“Duke parë si e përjetoi Australia që pati numër të shtuar të infeksioneve 70% më shumë, dyfishoi urgjencat dhe shtrimet është shqetësuese. Nuk është gjendje alarmante por kapi rritje të këtyre faktorëve. Do ketë përhapje të infeksionit në përmasa më të mëdha. Do të ketë rritje por duhet të jemi të përgatitur që fashat që janë në rrezik duhet të mbrohen dhe të informohen. Gripi çdo vit shkakton pasoja që nga humbja e jetës, humbja e vendit të punës, shkollat. Është shumë e rëndësishme edhe personeli mjekësor të vaksinohet para se të vijë gripi”. (A2 Televizion)