Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Homazhe në nderim të regjisorit të madh

Nga A2 CNN
2 Shtator 2025, 11:12 | Aktualitet

Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Homazhe në nderim të

I jepet sot lamtumira e fundit regjisorit Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Në nderim të tij qeveria ka shpallur këtë të martë, ditë zie kombëtare. Personaliteti i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar kinematografike për brezat.

Në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit po zhvillohen sot homazhet në nderim të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti, një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare.

Qytetarë të shumtë, kolegë, miq dhe personalitete nga fusha e artit, kulturës dhe jetës publike po i japin lamtumirën e fundit mjeshtrit të ekranit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.

Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në orën 13:00. Më pas arkëmorti me trupin e të ndjerit do të përcillet për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij në Vuno të Himarës.

Ndërkohë Këshilli i Ministrave ka shpallur ditë zie kombëtare datën 2 shtator 2025, në nderim të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti.

Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Me një karrierë mbi katër dekada, Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe pedagog, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.

Ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke trajtuar tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Shumë prej skenarëve i hartoi vetë, duke dëshmuar një talent të gjithanshëm. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, filmi me të cilin fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti u nderua me një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2011 mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos