Aktorë, kolegë, miq dhe politikanë po marrin pjesë në homazhet e lamtumirës për mjeshtrin e madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.
Homazhet nisën në orën 10:00 në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe do të vijojnë deri në orën 13:00. Më pas arkëmorti me trupin e të ndjerit do të përcillet për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij në Vuno të Himarës.
Kryeministri Rama nderoi Anagnostin, të cilin e ka cilësuar si babain e kinematografisë shqiptare. Ai mori pjesë në homazhe ndërsa la edhe një shënim në librin e kujtimeve. Homazhe bëri gjithashtu edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, i cili u shpreh për gazetarët se iku një korife i regjisë dhe artit që la pas një thesar për të gjithë brezat.
“Sot është shpallur ditë zie, ndahet fizikisht një korife i regjisë dhe artit, por lë pas një thesar e trashëgimi për të gjithë brezat, për t’u mbajtur mend përgjithmonë. Jemi pranë yllit të tij Roza Anagnostit, familjes për t’i shprehur përuljen dhe mirënjohjen e thellë dhe shumë të lartë”.
Edhe aktorja Marjeta Ljarja vlerëson figurën e regjisorit të shquar.
“E kam njohur shumë mirë, ka qenë mjeshtër për të gjithë. Më vjen keq që largohet dhe po lë kaq shumë gjëra. E kemi pas shembull në punën tonë; serioz, këmbëngulës i heshtur dhe me pasion të veçantë. Filmat e tij do të jenë të paharruar. Me Rikardin ka qenë mik i veçantë. Nuk do të harrohet!”
Aktorja Marjana Kondi pas homazheve vlerësoi Dhimitër Anagnostin, duke e cilësuar si kolosin e artit shqiptar.
“Lum ai që ikën me dinjitet. Profesor Anagnosti, kolosi i artit shqiptar. Kam qenë me fat që kam qenë mikja e tij. Gjithkush duhet të dijë një gjë që në këtë botë kur të shkosh duhet të shkosh me dinjitet. Mbaj mend korrektesën e tij, humorin e bukur që kishte. Sot duhet të vija 10 minuta përpara ashtu siç donte në set. Jam me fat, kam mësuar shumë nga ai. Ishte i mrekullueshëm. Ai do të prehet në botën e vërtetë me dinjitet”, tha ajo.
Edhe artisti Gazmend Leka vlerësoi regjisorin Anagnostit dhe e cilësoi një personalitet të papërsëritshëm dhe humbje për të gjithë.
“Person me staturë të madhe ishte si beton, por brenda tij lëvizte një Taqo aventurier e liberal sa i përket artit dhe filmit. Ato gjëra që na ka lënë ai, janë xhevahire në kinematografinë shqiptare”. (A2 Televizion)