Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami ka zbuluar në “Off the Record” me Andrea Dangllin, detaje nga mënyra si është operuar me skemën piramidale online, përmes platformës TXEX, që dyshohet se i ka zhvatur shqiptarëve miliona lekë.
“Kanë qenë disa denoncime në polici, përpos zotit Braçe, nga persona që pretendonin se janë mashtruar në shuma të konsiderueshme parash përmes investimeve në platforma të caktuara, që sipas tyre ju isyte premtuar se do të shtonin fitimet e tyre. Pasi investonin ju premtohej rritja e fitimeve por ju gjenin kleçka për t’i penguar të tërhiqnin fitimet e tyre. Ka pasur edhe nga ata që kanë tërhequr, dhe kjo kam përshtypjen se ka qenë pjesë e skemës së joshjes. Kjo platformë është thuajse e re në qarkullim por shifra e gjeneruar dhe dëmi i shkaktuar në publik shkon në miliona euro”, zbuloi Bajrami në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Ndërkohë, eksperti i kriptovalutave, Emir Allentha se nuk beson që shteti shqiptar do të mund të gjejë grabitësit që ndërtuan këtë skemë vjedhjeje, pasi platforma është e sofistikuar.
“Kriptovalutat janë ndryshe nga puna që po bëhet në terren nga kriminelë të caktuar në Shqipëri për momentin. Kriptovalutat janë para digjitale, që nuk është e kontrolluar nga asnjë lloj banke. Dhe përdoret ashtu siç përdoret cash-i, për të bërë një pagesë të caktuar. Fatkeqësisht nuk kam shpresa të larta që do të ndalohet ky fenomen. Zgjidhja nuk është gjurmimi i këtyre individëve apo platformave. Sepse këta njerëz të nderuar që kanë pasur Shqipërinë në duar 35 vitet e fundit ende nuk kanë gjetur 1.5 miliardë dollarë që ikën në 97’ në firmat piramidale. Skema është shumë më e avancuar dhe Shqipëria nuk është e aftë dhe nuk i ka resurset dhe njohuritë për ta përballuar këtë lloj fenomeni”, tha Emir Allen, ekspert i kriptovalutave në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)