Skemat piramidale "online", Prençi: Prokuroritë vendosën mosnisjen e çështjes penale

Nga A2 CNN
2 Shtator 2025, 21:04 | Kronikë

Shemsi Prençi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, deklaroi se në lidhje me skemën piramidale “online”, “prokuroritë në 3 qarqe të vendit kanë vendosur të mos nisin çështje penale” pavarësisht se, sipas tij, policia e ka referuar çështjen.

“Unë jam i kënaqur me Erion Braçen, një deputet që ka dhënë alarmin publikisht. Sa i përket Policisë së Shtetit, unë jam në dijeni të funksionimit të këtyre platformave “online” në vendin tonë prej disa muajsh dhe policia e ka referuar çështjen në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe në dijeninë time, të paktën në 3 raste, në 3 qarqe, është vendosur mosnisja e çështjes penale. Qeveria duhet të jepte alarmin pikërisht ndaj këtyre prokurorëve që lejojnë këto fenomene negative të marrin përmasa të mëdha”, tha ish-drejtuesi i policisë.

“Fakti që platforma nuk është e licencuar nga Ministria e Financave, nuk është regjistruar në QKB, duhet të kishte shqetësuar të gjitha autoritetet, jo vetëm Policinë e Shtetit. Duhet të kishte vepruar Ministria e Financave, t’i jepte alarmin policisë dhe policia të procedonte së bashku me prokurorinë, duke patur një material të rëndësishëm mbi veprimtarinë e kësaj platforme, që është denoncuar nga Zelanda e Re që në muajin prill”, shtoi Shemsi Prençi.

Sipas tij, për “këtë problem kam informacion që është gjurmuar një biznesmen”.

“Ishte koka e rekrutimit të njerëzve për të bërë investime në kriptovalutë”, theksoi Prençi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos