
Qarku i Kukësit është përfshirë në orët e mesditës nga reshje shiu të shoqëruara me erëra të forta, ndërsa në zonat malore kanë nisur reshjet e borës.

Borë ka rënë edhe në segmentin Fushë Dukagjin–Tuneli i Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit. Aktualisht rruga është e qarkullueshme, ndërsa mjetet borëpastruese të kompanisë mirëmbajtëse ndodhen në terren për kriposje dhe pastrim të segmentit, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë, subjekti kontraktor që ka në mirëmbajtje rrugët nacionale në Tropojë bën me dije se si pasojë e reshjeve ka pasur rënie inertesh dhe gurësh në aksin Dushaj–Lekbibaj. Nga kompania “Florida” po punohet për pastrimin dhe kthimin në normalitet të këtij aksi rrugor. Qarkullimi i mjeteve nuk është penguar, përcjell A2 CNN.

Deri më tani nuk raportohen problematika të tjera, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes. Në rrugët nacionale ka prani lagështie për shkak të reshjeve të shiut, ndërsa në segmentet malore haset borë në disa zona të caktuara. Kujdes i shtuar kërkohet edhe në rrugët rurale të qarkut Kukës.
(A2 Televizion)