Lamtumirë Artur Zheji! Përcillet për në banesën e fundit gazetari dhe analisti i njohur

Nga A2 CNN
25 Gusht 2025, 12:46 | Aktualitet

Familjarë, miq, kolegë, politikanë e personalitete të artit e kulturës i dhanë sot lamtumirën e fundit publicistit dhe analistit Artur Zheji, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë  në moshën 64-vjeçare nga një arrest kardiak, në Sarandë.

Homazhet për një prej zërave më të veçantë të gazetarisë dhe mendimit publik shqiptar, uy mbajtën për rreth dy orë e gjysmë (10:00-12:00) në Universitetin e Arteve të Bukura, aty ku ai u diplomua për regji.

Ikja e tij e parakohshme bashkoi jo vetëm botën e medias, por edhe politikën e artin, ndërsa në hyrje të Universitetit u vendos edhe një kurorë me lule në emër të kryeministrit Edi Rama.

 “Pas Zhejit që kemi parë në ekrane, ka qenë një Zhej akoma më artist, më krijues, që do jepte shumë më tepër në vitet që do vinin. Një ikje e parakohshme”, tha ministri Blendi Gonxhja.

Për kreun demokrat, Sali Berisha, Zheji ishte një personalitet i spikatur i gazetarisë dhe analizës politike.

"Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij, në të cilat edhe po të mos ishe dakord me pikëpamjen, mënyrën civile të servirjes dhe të shtruar të mbrojtjes që ai bënte, do ta respektoje patjetër", tha Berisha.

Për aktorin Timo Flloko Zheji ishte “një artist i madh në shpirt, me një sensibilitet të padallueshëm, të dukshëm, por të thellë e të brendshëm. Një erudit i përmasave të mëdha.”

Aktorja Rajmonda Bulku e përshkroi si një njeri të jashtëzakonshëm dhe të mençur.

“Lindi nga dy prindër me shpirt të lirë, nga atdhetarë, nga një artiste e mrekullueshme Besa Imami dhe Petro Zheji, mendje ndritur, i njerëzve të shquar shqiptarë. Lindi i lirë nga këta të dy, lindi i mençur, i kulturuar. Luftoi tërë jetën e tij për të thënë fjalën e drejtë, të mençur. Elokuenca e tij ishte e jashtëzakonshme dhe e pakrahasuar”, tha ajo.

Sikurse edhe kryeministri Albin Kurti i cili tha një ditë më parë se Zheji ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, edhe ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo konfirmon të njëjtën gjë.

“Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për Kosovën”, tha Milo.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos