Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe me shkurre në fshatin Zharrëz të Fierit, duke vënë në rrezik serioz një nga puset e naftës që ndodhen në këtë zonë, shkruan A2 CNN. Flakët, të përhapura me shpejtësi nga era e fortë, kanë shkaktuar panik te banorët, pasi afërsia me pusin e naftës paraqiste rrezik të madh.
Menjëherë pas sinjalizimit, dy mjete zjarrfikëse të Albpetrolit kanë ndërhyrë duke arritur të izolojnë vatrën e zjarrit dhe të parandalojnë përhapjen e tij në territorin përreth. Për shkak të natyrës së rrezikshme të zonës, operacioni ka qenë mjaft delikat.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë, të cilat po kryejnë hetime për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Ende nuk ka të dhëna nëse bëhet fjalë për një incident aksidental apo për zjarrvënie të qëllimshme. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale të tjera përveç sipërfaqes së djegur me shkurre. (A2 Televizion)