Baba të kinemasë shqiptare, e cilëson kryeministri Edi Rama regjisorin e shquar Dhimitër Anagnosti, teksa shpreh ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë vlerëson figurën e tij dhe shprehet se “jetoi gjithnjë me kokën lart”. Rama kujton njohjen e tij me regjisorin që në moshë të re dhe përmend filmin “Lulëkuqe mbi mure”, që sipas tij është kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar.
“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjisori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart.
Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master!”shkruan Rama. (A2 Televizion)