Edhe nëse lufta mbaron në Ukrainë, Rusia do të mbetet një fuqi destabilizuese dhe kërcënuese për botën.
Kështu ka bërë me dije Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë një konference në Rumani, shkruan A2.
Rutte tha se NATO po forcohet më shumë, por shtoi se rreziku i përshkallëzimit në të ardhmen mbetet shumë i lartë.
“Unë besoj se i gjithë samiti në Hagë, përfshirë atë që organizuam në kontekstin e industrisë, ishte historik; ishte i suksesshëm dhe morëm vendime të rëndësishme për ta bërë NATO-n shumë më të fortë. Dhe Presidenti përmendi disa prej tyre. Sepse në atë rast, udhëheqësit e NATO-s vendosën të investojnë 5% të PBB-së në mbrojtje deri në vitin 2035. 5% dhe të gjithë e dimë se këto janë para serioze, këto janë shpenzime serioze. Por, kjo është ajo që na duhet për të qëndruar të sigurt”, tha Rutte.
“Si pjesë e kësaj, udhëheqësit ranë dakord të blejnë më shumë aftësi mbrojtëse, duke përfshirë avionë luftarakë, tanke dhe anije, por edhe dronë, municione, aftësi kibernetike dhe hapësinore. Ne kemi nevojë për aftësitë, kemi nevojë për pajisjet, fuqinë e vërtetë të zjarrit dhe sigurisht, teknologjinë më të përparuar. Sepse kërcënimet me të cilat përballemi janë reale dhe të qëndrueshme. Lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës është shembulli më i dukshëm i kërcënimit. Por, rreziku që paraqet Rusia nuk do të mbarojë kur të mbarojë kjo luftë. Për të ardhmen e parashikueshme, Rusia do të mbetet një forcë destabilizuese në Evropë dhe në botë”, shtoi Rutte. (A2 Televizion)
