
Kreu u grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paralajmëroi marrjen e masave ndëshkuese për kreun e PD, Sali Berisha, për atë që e cilësoi si sulm ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në vendon tonë, Silvio Gonzato.
“Dënoj ashpër sulmin që ndodhi në këtë foltore kundrejt ambasadorit të BE në Shqipëri. Ky sulm i përsëritur nga i njëjti individ prej 35 vitesh, kundër ambasadorëve të SHBA, të tjerë të vendeve mike, kundër ambasadorit të BE, bie ndesh me parimet e Konventës së Vjenës dhe interesat kombëtarë të Shqipërisë, sepse Shqipëria brenda vitit 2030 do të jetë pjesë e BE. Sa i përket këtij sulmi, zoti kryetar, ne do të depozitojmë kërkesë pranë Komisionit të Etikës që deputeti të japë shpjegime, por edhe Kuvendi të ndalë sulmet”, tha Balla, përcjell A2 CNN.
Balla hodhi poshtë pretendimet e opozitës për implikimet lidhur me gjininë që sjell votimi i projektligjit për barazinë gjinore. “Gjithçka dëgjuat nuk i referohet ligjit për të cilin diskutohet sot. I referohet ligjit antidiskriminim, të votuar në vitin 2010 me firmën e Sali Berishës. Sa i përket ligjit për të cilin flasim, aty sanksionohet qartë, në Republikën e Shqipërisë ka vetëm burra dhe vetëm gra. Kjo është rregulluar edhe në amendamentin e propozuar prej meje dhe dy kolegë të tjerë”. (A2 Televizion)
