
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër në Kuvend ndaj projektligjit për barazinë gjinore që, sipas tij, cenon vlerat tradicionale dhe përmbajtjen e Kodit të Familjes. Nga foltorja e Kuvendit Berisha deklaroi se nuk ka ndodhur ndonjëherë që komunitetet fetare të protestojnë para Kuvendit me kaq zemërim”, duke e cilësuar ligjin si një rikthim të Kushtetutës ateiste të Enver Hoxhës, të lyer me ngjyra evropiane.
“Nuk ka ndodhur ndonjëherë që komunitetet fetare të vijnë të na protestojnë me aq zemërim para parlamentit si sot. Po riktheni Kushtetutën ateiste të Enver Hoxhës dhe po i jepni ngjyra evropiane. Nuk ka asnjë lidhje me direktivat evropiane”, theksoi Berisha
Sipas tij, ligji i vendosur për votim përmbys konceptin e familjes tradicionale, duke i hapur rrugë fermave të grave në kundërshtim me vlerat shoqërore dhe fetare të vendit.
“Ky ligj, de facto përmbys Kodin e Familjes, që sanksionon se familja bazohet në gruan dhe burrin, në nënën dhe babain. Por tani duhet të shkruhet në përkatësi të shumëfishta gjinore, në gjinitë me diversitet të gjerë. Ky ligj i hap rrugën krijimit të fermave të grave, të cilat do lindin fëmijë të askujt. Është vazhdimi i ligjit që refuzuam këtu parlamentin tjetër”.
Berisha e quajti këtë një projekt “sorosian”, duke akuzuar drejtues të mazhorancës për lidhje me fondacionet e George Soros.
“Pra, çfarë kanë bërë ky grup sorosianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar? Edhe ajo që erdhi, e rritur, e mëkëmbur dhe e pasuruar familjarisht me fondet e monstrës së njerëzimit, Xhorxh Soros, dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në ora 2 të natës. E kanë vendosur në pikën 17, këtë ligj”.
“Nuk përmbysim kurrë shoqërinë për orientimin e askujt,” tha Berisha, duke shtuar se qeveria po përdor këtë nismë “për të fshehur korrupsionin dhe për të shpëtuar nga drejtësia”. (A2 Televizion)
