Kreu i Gjykatës së Lartë 50 faqe vërejtje për Kodin e ri Penal: Rrezikon të rëndojë sistemin, ka nene të paqarta

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2025, 11:08 | Aktualitet

Kreu i Gjykatës së Lartë 50 faqe vërejtje për Kodin e

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka shprehur shqetësime serioze për draftin e ri të Kodit Penal gjatë një takimi konsultues me Ministrinë e Drejtësisë. Ai tha se drafti, me mbi 950 nene, është i mbingarkuar, me mospërputhje ndërmjet ligjeve dhe rrezikon të bëjë sistemin penal më të ashpër e më pak efikas.

Sadushi theksoi se në shumë raste drafti përzien dispozita materiale me ato procedurale dhe bie ndesh me Kodin Civil e atë të Procedurës Penale. Ai paralajmëroi se kjo “mungesë koherence ndërkodike” cenon integritetin e sistemit ligjor dhe zbatimin e unifikuar të drejtësisë.

“Në disa pjesë të projektit vërehet një përzierje e paqartë midis dispozitave materiale dhe atyre procedurale, si dhe mospërputhje me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera. Disa nene që trajtojnë çështje të natyrës procedurale, si ato për masat mjekësore dhe edukuese ndaj të miturve (nenet 116–120), për lirimin me kusht (nenet 175–176) apo pezullimin e veprimtarisë së personave juridikë (neni 125), duhen rregulluar në Kodin e Procedurës Penale, jo në Kodin Penal. Gjithashtu, neni 546 që parashikon veprën e vetëgjyqësisë përsërit rregullime që tashmë trajtohen nga Kodi Civil, ndërsa neni 539, për mosparaqitjen në seancë gjyqësore, trajton çështje që janë objekt i legjislacionit disiplinor për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Po ashtu, përfshirja e disa shkeljeve të Kodit Rrugor si vepra penale krijon dublim normativ dhe e ngarkon pa nevojë sistemin penal”, u shpreh ai.

Sipas tij, projektligji nuk është ndërtuar mbi parimin e humanizmit, por zgjeron logjikën ndëshkuese, duke e çuar dënimin maksimal deri në 45 vjet, gjë që sipas tij, devijon nga standardet evropiane.

“Në vend që të garantojë mbrojtjen e lirive, projekti e shton ndërhyrjen shtetërore dhe e bën drejtësinë më mekanike. Rritja e përgjithshme e dënimeve dhe mungesa e fleksibilitetit në caktimin e tyre rrezikon ta zhvendosë drejtësinë nga humanizmi drejt formësimit mekanik”, u shpreh Sadushi.

Kreu i Gjykatës së Lartë ngriti gjithashtu shqetësime për paqartësinë e gjuhës ligjore dhe formulimet e gjata e të paqarta që, sipas tij, krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe arbitrare nga gjykatat.

“Në fushën penale, ku në lojë është liria e njeriut, çdo paqartësi është rrezik”, theksoi ai, duke kërkuar rishikim të plotë të terminologjisë dhe strukturës së neneve.

Sadushi konfirmoi se Gjykata e Lartë i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë një material me mbi 50 faqe vërejtje dhe propozime për përmirësimin e draftit të Kodit të ri Penal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos