Lazarati si fshatrat e tjerë, pa rini, pa perspektivë, pa mundësi punësimi

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
26 Shkurt 2025, 12:11 | Aktualitet

Rebelimi ndaj shtetit i ka lënë vendin shpopullimit. Ndonëse ndodhet në listën e 100 fshatrave turistikë të vendit, Lazarati duket se ende nuk ka përfituar nga ky projekt. Mungesa e perspektivës dhe punësimit, ka bërë që në fshat të mbetet mosha e tretë që përfiton pension dhe nxënësit e 9-vjeçares. Rinia dhe mosha e aftë për punë thuajse të gjithë janë larguar.

10 vite më parë Lazarati i njohur si fshati rebel i kultivimit të kanabis sativës dhe ku shteti ishte inekzistent, u bë në të njëjtën kohë edhe fshati ku u regjistrua operacioni më i madh antidrogë i ndërmarrë ndonjëherë nga policia shqiptare, që e hoqi këtë fshat nga lista e vendeve ku kultivohej kanabis.

Pas këtij operacioni, fshati Lazarat, sot njësia administrative me të njëjtin emër, u fut në projektin e 100 fshatrave turistikë. Por sa ka përfituar realisht kjo njësi nga ky projekt? Banorët që gjejmë në Lazarat na japin një pasqyrë të jetës sociale.

“I shkatërruar komplet, jo nga droga por nga papunësi. Njerëzit kanë ikur të gjithë. Nuk ka investime.

Fshati sot jeton për mrekulli të Zotit, sheh gjëkundi të rinj? Si thoni ju pse kanë ikur? Nga e mira?

Kanë ikur të tërë s’ka njeri ka ikur rinia, nuk ka punë.

Mos më keq jemi. Ka kaluar greku disa herë, Italia, Gjermania, shkatërrimi që ka bërë ky sistem nuk ia ka bërë njeri dhe Enver Hoxha”, thonë disa nga banorët.

Edhe dikush që po përpiqet të mbajë një biznes familjar, duket se më shumë punon me fletore veresie se sa me lekë në dorë.

“Kanë ikur nga skamja varfëria kanë lënë shtëpitë mëmat, baballarët vetëm”.

Edhe një qendër e inaguruar për mbledhjen e bimëve medicinale nuk funksionoi asnjë ditë dhe sot gjendet e mbyllur si për të treguar që edhe Lazarati si gjithë zonat e tjera rurale të vendit po shkojnë drejt shpopullimit pa asnjë prespektivë dhe mundësi për të jetuar dhe punuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos