"Profeti Muhamed ishte kundër luftës" - Imami: Ja ç'duhet të bëhej për luftën Izrael-Iran

Nga A2 CNN
22 Qershor 2025, 21:34 | Aktualitet

Hoxha Ladi Lushi, i diplomuar në studime islame në Jordani, komentoi zhvillimet dramatike në Lindjen e Mesme në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN. Ai theksoi se luftërat aktuale kanë një përzierje të thellë mes politikës dhe fesë, por në thelb, janë larg vlerave të vërteta fetare.

“Profeti Muhamed ishte kundër luftës, ai lutej për paqen. Lufta është një krim,” deklaroi imami, duke theksuar rëndësinë që besimtarët të mos reagojnë emocionalisht por të pozicionohen në anën e drejtë.

Sipas Lushit, situata në rajon është ndikuar nga faktorë kompleksë fetarë dhe politikë. Ai përmendi ndarjen mes dy rrymave të judaizmit, ku disa jehudinj të Evropës nuk e pranojnë shtetin e Izraelit, si dhe dallimet e thella mes sunitëve dhe shiitëve në botën islame.

“Irani ndjek rrymën shiite, ne jemi ndryshe, por në fund të fundit të gjithë janë njerëz. Njeriu duhet të jetë human, pavarësisht ndasive fetare,” tha ai.

Lushi theksoi rrezikun e radikalizmit, sidomos te ata që nuk kanë njohuritë e duhura fetare. “Radikalizmi lind nga padituria dhe ndikimi emocional. Kjo është arsyeja pse hoxhallarët dhe të diturit duhet të udhëheqin me mençuri.”

Imami kritikoi ashpër edhe udhëheqësit politikë në vendet arabe: “Izraeli është futur si një ‘gjarpër’ mes arabëve dhe po i shpërthen një nga një. Por një pjesë e fajit bie mbi liderët arabë që nuk ndalojnë luftën. Lufta është çmenduri,” theksoi ai.

Duke e mbyllur me një proverb arab, Lushi shprehu pesimizmin e tij për përgjegjësinë politike në rajon: “Do të dëgjonte po të kishte jetë, por nuk ka jetë në atë që ti po thërret” – kjo tregon sa e pashpresë është situata me qeveritë arabe.”

Në mesazhin e tij, imami Lushi u bëri thirrje besimtarëve që të mos bien pre e propagandës apo urrejtjes, por të qëndrojnë për paqe, drejtësi dhe humanizëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos