Zona mes Pilurit dhe Llamanit në Himarë është përfshirë nga flakët mbrëmjen e kaluar, njoftoi kryetari i bashkisë, Vangjel Tavo. Ai publikoi në profilin e tij në Facebook video të helikopterëve të ushtrisë që ishin angazhuar për shuarjen e flakëve.
“Gjatë natës që lamë pas, një vatër zjarri e përmasave të konsiderueshme u përhap në zonën midis kthesës së Pilurit dhe Llamanit. Strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri të Bashkisë Himarë kanë qenë në terren gjatë gjithë natës, duke luftuar flakët me përkushtim dhe profesionalizëm”, tha Tavo, shkruan A2 CNN.
“Falë një koordinimi të përkryer dhe të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), është bërë e mundur ndërhyrja ajrore me helikopter, e cila po ndihmon ndjeshëm në vendosjen nën kontroll të flakëve dhe në shuarjen e plotë të zjarrit. Përpjekjet vijojnë pa ndërprerje, me synimin për të eliminuar çdo rrezik ndaj komunitetit dhe mjedisit. Falënderojmë të gjitha forcat zjarrfikëse dhe strukturat e përfshira për reagimin e shpejtë dhe angazhimin maksimal në këtë situatë të vështirë”. (A2 Televizion)