Çmime tavan për shezlongët, këshillat bashkiakë rimarrin në dorë plazhet

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2026, 14:54 | Aktualitet

Qeveria ndryshoi sërish mënyrën e administrimit të stacioneve të plazheve për vitin 2026, duke ia rikthyer të drejtën këshillave bashkiakë që të përcaktojnë zonat e plazheve që kanë në administrim, kategorizimin e tyre, ndarjen për subjektet hoteliere dhe ato të shërbimit, si dhe përcaktimin e çmimeve për plazhet private që ligji u jep të drejtë.

Sipas këtij udhëzimi, këshilli bashkiak, përveç plazheve publike që do të jenë falas, do të përcaktojë edhe vendet ku plazhet publike do të kenë çmime të diferencuara, duke ofruar edhe shërbime. Pra, një plazh publik i tarifuar. Madje, këshillat bashkiakë, me vendim, ose në marrëveshje me subjektet akomoduese, duhet të caktojnë edhe çmime tavan për plazhet private që do të administrohen nga këto subjekte dhe tejkalimi i këtij çmimi do të përbëjë shkelje, përcjell A2 CNN.

Për operatorët turistikë të jugut të vendit, udhëzimet e fundit konsiderohen pozitive, por shqetësimi i tyre mbetet zbatimi në praktikë.

“Mendoj se udhëzimi në tërësi është një udhëzim real. I plotëson të gjitha nevojat e qytetit. Ngelet. Ne jemi më shumë, nuk jemi në merak në udhëzime se kemi pasur udhëzime gjatë çdo vit, por kemi qenë gjithmonë skeptikë në implementimin apo drejtimin e udhëzimeve që na kanë ardhur. Ashtu siç ndodhi dhe vitin e kaluar, siç ndodhi dy vite më para që jo 50%, jo 30% asnjëherë nuk ishte aq sa thoshte në letër”, thonë ata. “Sepse fillojnë ato miku shoku merr këtu merr atje dhe si përfundim për qytetarët vlonjatë nuk është se ngelet shumë hapësira publike për t'i përdorur. urojmë dhe shpresojmë që ky vit të jetë më ndryshe, që të gjithë ata që duan të bëjnë një plazh pa pagesë ta kenë hapësirë të tyre, ata që duhet të paguajnë, që kanë një çmim simbolik të kenë dhe atë hapësirën e tyre dhe plazhe të cilat që janë më VIP që ne i quajmë që ka kemi dhe atë fashë të turistëve që e duan atë plazh ë ta kemi të përcaktuar dhe për ta”.

Gjithashtu, operatorët turistikë i bëjnë apel pushtetit lokal që të nisë menjëherë përgatitjet për sezonin veror, duke filluar nga ndarja e plazheve dhe deri te krijimi i infrastrukturës dhe shërbimeve të duhura, të cilat kanë munguar në të shkuarën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos