
Çmimet nuk i vendos qeveria, por tregu. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me operatorët turistikë në Vlorë, ku nënvizoi se investimet në këtë industri kërkojnë vizion e strategji të qëndrueshme.
“Shqipëria do të ketë mundësi të tërheqë më shumë edhe jashtë sezonit në vjehstë nëse do të jetë e përgatitur për këtë. Në këto muaj ka pasur një rritje dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë situatë. Çmimet nuk i vendos qeveria dhe qeveritë nuk kanë asnjë instrument për të kontrolluar e imponuar çmimet. Çmimet i vendos tregu, por në këtë industri i vendos vizioni strategjik i juaji për fatin e investimeve tuaja nëse po bëni inevstime vërtet masive e ambicioze. Një pjesë e juaja po punojnë me arkitekt të huaj. Hoteleria e ka investimin e madh por të ngadaltë duhet të mendoni për fatin e këtyre investimeve. Qëllimi është të lexojmë çfarë iu ka ndodhur të tjerëve”.
Ai paralajmëroi bizneset që të mos abuzojnë me çmime të larta dhe shërbime të dobëta. Sipas tij, një qasje e tillë mund të dëmtojë imazhin e destinacionit dhe të kthehet në “bumerang” për investimet, duke larguar turistët në favor të vendeve si Greqia, Turqia apo Kroacia.
“Në momentin kur befas janë gjendur përpara rezultatit të hapjes dhe transformimit në një destinacion të caktuar kanë vepruar si të dehur, duke ofruar shërbime të dobëta dhe çmime të larta. Dhe si rezultat i fluksit që u është gjendur përpara kanë pasur mendjen e ngushtë që njerëzit do ti kenë aty dhe kanë filluar të investojnë. Të investojnë për më shumë por duke kërkuar shumë. Çfarë u ka ndodhur, u kanë mbetur në derë investimet se nuk kanë ardhur njerëzit. Nëse Vlora merr njollën e vendit ku paguan më shumë sesa të ofrohet dhe ku paguan më shumë se duke shkuar në Greqi Turqi e Kroaci ju i keni bërë gropën vetes. Flas për gropën e investimeve. Duhet strategji afatmesme se do merrni një fitim të arsyeshëm dhe jo atë që do i merrni në moment se do t’u kthehet në bumerang”.
Rama nënvizoi se investimet në hoteleri janë afatgjata dhe kërkojnë strategji të qëndrueshme, jo fitime të shpejta. Ai shtoi se Vlora ka potencial të zhvillohet si destinacion ndërkombëtar, ku mund të jetojnë edhe të huaj, duke përmendur sigurinë si një nga avantazhet kryesore të Shqipërisë.
“Qeveria nuk vendos çmimet por po u flas disa të vërteta si dikush që e do këtë qytet dhe dua që çfarë kemi mbjellë ta korrim jo në një stinë por për gjenerata. Vlora ka të gjitha mundësitë si qytet në Portugali në Spanjë, Turqi ku të vijnë të jetojnë edhe plot të huaj, është plotësisht e mundur. Shqipëria është një vend ku jetohet me siguri Dje isha në Dhërmi me disa miq, jo me Ivankën se e bënë sikur vjen në Vlorë çdo 2 muaj do vijë ajo çdo dy muaj por nuk jemi akoma në këtë fazë”.
(A2 Televizion)