Ministri Hoxha takime me strukturat e Policisë në Korçë e Elbasan: Këto janë shtyllat kryesore të punës tonë

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2024, 16:20 | Aktualitet

Ministri Hoxha takime me strukturat e Policisë në Korçë e

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, gjatë një takimi, vlerësoi si shumë të frytshëm bashkëpunimin mes Policisë së Elbasanit, Prokurorisë së Rrethit, Bashkisë, autoriteteve vendore dhe agjencive ligjzbatuese.

Hoxha nënvizoi se një bashkëpunim të tillë do të donte ta shihte në çdo qark.

"Pata mundësinë t'i falënderoj drejtuesit e këtyre institucioneve së bashku me ish-drejtorin e DVP Elbasan, sot Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, teksa prezantuam Drejtorin e ri të qarkut, Fatmir Hoxhën. Elbasani, si një nga qendrat kryesore historike, kulturore e ekonomike të Shqipërisë, përballet me sfida që kërkojnë një qasje të fortë dhe të balancuar, mes zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit me komunitetin", u shpreh ministri.

Më tej ai theksoi se lufta kundër krimit dhe ndërtimi i një mjedisi të sigurt për të gjithë, do të jenë shtylla kryesore të punës së trupës me uniformë.

Ai kërkoi gjatë takimit që në fokus të vijojë të jetë çmontimi i aktiviteteve të grupeve kriminale dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Më pas në Korçë, në një takim me strukturat lokale të Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, u prezantua Erion Ahmeti, si Drejtori i ri Vendor.

Korça është ndër destinacionet më të preferuara turistike. Ajo tejmbushet për festat e fundvitit.

Meqë Korça është një ndër destinacionet turistike të vendit, ministri apeloi ndaj strukturave të varësisë për rritjen e sigurisë publike dhe rrugore në atraksionet turistike dhe pranë ambienteve kulturore.

"Si një rajon kufitar dhe ekonomikisht i rëndësishëm, Korça padyshim që përballet me sfida të krimit të organizuar, trafikimit dhe informalitetit, e në këtë aspekt kërkoj punë edhe më të madhe, për të luftuar këto fenomene dhe për të forcuar sundimin e ligjit", u shpreh Hoxha, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos