“Zbardhje e ngjarjeve kriminale dhe rihapje e hetimeve për të vjetrat”, ministri Hoxha prezanton drejtuesit e rinj të Policisë

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2024, 10:26 | Aktualitet

“Zbardhje e ngjarjeve kriminale dhe rihapje e hetimeve për të

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nisën nga Tirana prezantimin e 12 drejtorëve vendorë të Policisë. Hoxha kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjeve kriminale, si dhe rihapjen e hetimeve për ngjarje të vjetra, të cilat janë shkak për zinxhir pasojash, nëse mbeten pa u ndëshkuar.

"Emërimi i Elton Alushit përfaqëson jo vetëm një hap përpara në konsolidimin e strukturave të sigurisë, por edhe një angazhim të ri për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të kryeqytetit, ku sfidat janë të shumta dhe dinamike, nën vizionin "Shqipëria 2030", nënvizoi ministri Hoxha.

Sipas tij Tirana, “si zemra administrative, ekonomike dhe sociale e vendit, kërkon një Polici, që jo vetëm të jetë vigjilente dhe efektive në parandalimin dhe luftën ndaj krimit, por edhe një polici që të jetë e afërt me komunitetin, duke ndërtuar ura besimi e bashkëpunimi”.

Në Durrës, ministri prezantoi drejtor Vilson Balën, i cili u rendit i pari me pikë, në konkurrim  dhe vjen në këtë detyrë pas një karrierë të gjatë brenda Policisë.

"Ky qytet ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit, si një portë hyrëse për Shqipërinë. Kjo e bën atë të përballet me sfida komplekse në fushën e sigurisë publike dhe luftën kundër kriminalitetit. Për këtë arsye, drejtimi i strukturave policore në këtë zonë kërkon një vizion të qartë, strategji dhe përkushtim maksimal për zbatimin e ligjit me paanshmëri dhe profesionalizëm", u shpreh ministri në takim me strukturat drejtuese të DVP Durrës.

Hoxha shtoi se Durrësi, si një qendër ekonomike, turistike dhe tranzit, kërkon një qasje të mirëkoordinuar për të siguruar një mjedis të sigurt për banorët dhe vizitorët.

"Struktura e re drejtuese do të punojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për të luftuar çdo formë të krimit të organizuar, trafiqeve dhe evazionit. Siguria nuk është vetëm një përgjegjësi e policisë, por një detyrë e përbashkët e gjithë shoqërisë", tha ministri i Brendshëm.

Ministri i Brendshëm Ervina Hoxha dhe Drejtori përgjithshëm Ilir Proda prezantuan edhe drejtorin e ri të policisë në Elbasan Fatmir Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos