Ministri i Brendshëm reagon për krimet: Kambanë alarmi ditët e fundit, duhet ta parandalojmë shpejt

Nga A2 CNN
21 Gusht 2024, 17:42 | Aktualitet

Ministri i Brendshëm reagon për krimet: Kambanë alarmi ditët

Të shtënat me armë në drejtim të policisë gjatë një aksioni antikanabis në Malësinë e Madhe, kanë sjellë një reagim të ashpër të ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha për ata që guxojnë të qëllojnë mbi uniformat blu.

Ministri Hoxha ngjarjen e sotme, por edhe konfliktet ku janë përdorur armë zjarri gjatë kësaj jave e që kanë marrë disa jetë njerëzish, i cilëson kambanë alarmi që kërkojnë reagim të menjëhershëm.

Hoxha thekson se do të jetë në krah të çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor.

“Të qarkullosh me armë zjarri në rrugë, qendra të banuara e kudo, për qëllime kriminale, siç ka ndodhur ditët e fundit apo edhe sot në Malësinë e  Madhe, nuk është thjesht një kambanë alarmi.  Kjo kambanë na vendos përballë një detyre të madhe: Për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për të siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin.  E nga ana tjetër dhe po me kaq rëndësi, për të ndryshuar dhe reformuar organizatën e Policisë, nga qendra në bazë, në një shërbim model, pasqyrë e shoqërisë tonë, model që mund ta ofrojnë vetëm drejtues profesionistë dhe me integritet, dhe një organizatë e mire strukturuar dhe reaguese mëse e shpejtë.”, tha ai raporton televizioni A2.

Hoxha nënvizon se në detyrën e Ministrit të Brendshëm “do të mbështes maksimalisht dhe pa asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht rrezikut dhe vështirësive siç po përballet sot Policia e Shkodrës në luftën e saj kundër kultivimit të kanabisit apo Policia e Shtetit në përballjen e saj me krimin në çdo cep të vendit.”/A2 (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos