Moti i keq me reshje shiu dhe bore ka përfshirë të gjithë vendin. Në aksin rrugor “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër është bllokuar nga Policia Rrugore e Dibrës dhe Tiranës për të shmangur pengesat dhe bllokimin e rrugës si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të dëborës. Në këtë zonë po punohet për pastrimin e rrugës nga dëbora.
Edhe në aksin Fushë Arrëz - Iballë, në segmentin Qafë Shari - Laku i Ballçit, rruga është i pakalueshëm për shkak të reshjeve të dëborës dhe erës së fortë. Ndërsa aksi rrugor Qafë Thanë - Librazhd ka vështirësi në qarkullim për kamionët, shkruan A2 CNN.
Mungesë të energjisë elektrike ka pasur në Njësinë Administrative të Vau Dejës, Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak. Pa energji elektrike janë edhe zonat në Shalë dhe Shosh. Qarkullimii automjeteve në qarkun e Shkodrës, në zonat malore duhet të kryhet me goma dimërore. Aksi rrugor Kire - Shosh është i bllokuar si pasojë e shembjeve të dherave edhe të reshjeve të borës.
Në Fushë – Arrëz trashësia e borës ka shkuar der në 20 cm. Rrugët nacionale janë të hapura por qarkullimi bëhet me zinxhir, ndërsa rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushe-Arrez me Njësinë Administrative Iballe dhe fshatrat rreth saj deri në Firzë janë të bllokuar.
Në qarkun e Kukësit akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme, ku vijon puna për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre.
Reshjet e dendura të dëborës kanë rënduar situatën edhe në juglindje të vendit. Në zonat malore trashësia e borës shkon nga 10 deri në 25 cm. Në zonat më të thella malore, herë pas here ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e erës dhe rrëzimit të shtyllave.
Situatë problematike në Qafë Thanë radhë mjetesh dhe vështirësi në ngjitje dhe zbritje të kthesave.
Kapiteneria e Vlorës njoftoi pezullimin e lundrimit detar për mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit. Ndërsa në Portin e Durrësit nuk do të ketë lundrim të trageteve drejt Barit, e as anasjelltas. (A2 Televizion)