
Një ditë para seancës në Gjykatën Administrative për padinë e kryebashkiakut Erion Veliajt ndaj Ols Dados, avokati i tij Plarent Ndreca ngriti shqetësimin se çështja po tentohet të mbyllet përmes një procesi jo transparent, pengesave procedurale dhe mohimit të legjitimimit aktiv të paditësve.
Në një konferencë për shtyp, Ndreca shprehet se ekziston rreziku që çështja të mos shqyrtohet në themel nga gjykata, por të mbyllet përmes pengesave procedurale.
“Shqetësimi ynë është se ekziston rreziku real që kjo çështje të mos shqyrtohet në themel, pra mbi meritën juridike të saj, por të tentohet të mbyllet përmes një procesi jo transparent, pengesave procedurale dhe mohimit të legjitimimit aktiv të paditësve. Kjo për një arsye të thjeshtë: sepse merita juridike e çështjes është jashtëzakonisht e qartë dhe shumë e vështirë të relativizohet. Prej ditësh, në hapësirën publike dhe në burime të hapura mediatike, janë raportuar pretendime jashtëzakonisht shqetësuese mbi tentativa të mundshme ndikimi dhe presioni institucional në lidhje me këtë proces gjyqësor. Madje, publikisht janë artikuluar edhe pretendime për ndikim të paligjshëm dhe tentativa korruptimi me qëllim që kjo çështje të mos arrijë kurrë në shqyrtim në themel”, deklaroi avokati i Veliajt, përcjell A2 CNN.
Ndreca tha se edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në vend që të kërkojë zbardhjen e plotë të ligjshmërisë së mandatit të prokurorit, po përpiqet të mbyllë procesin në rrugë procedurale, duke pretenduar se Veliaj nuk është palë legjitime që ta ngrejë çështjen në Gjykatën Administrative.
“Në vend që të kërkojë shqyrtimin në themel të çështjes dhe zbardhjen e së vërtetës juridike mbi vlefshmërinë e dekretit presidencial, përfaqësuesja e KLP-së është paraqitur në gjykim me të njëjtën strategji procedurale si vetë subjekti që është objekt i kontrollit, përmes goditjes së legjitimimit të paditësve. Kjo është edhe më kontradiktore po të kemi parasysh faktin se vetë KLP, në përgjigjen që i ka kthyer më parë Erion Veliajt, nuk ka pretenduar asnjëherë se ai nuk legjitimohej të ngrinte pretendime. KLP ka deklaruar vetëm se nuk kishte kompetencë për të shqyrtuar dekretin e Presidentit. Pra, vetë KLP ka pranuar se ekziston një çështje që duhet të shqyrtohet nga organi kompetent. Sot që kjo çështje ndodhet pikërisht përpara organit kompetent, Gjykatës Administrative, KLP po përpiqet të pengojë vetë shqyrtimin në themel të saj”, vijoi Ndreca, përcjell A2 CNN.
Sipas avokatit, Presidenti i Republikës, në momentin e dekretimit të Ols Dados si prokuror, nuk ka kryer verifikime reale mbi plotësimin e kushteve ligjore për emërimin e tij.
“Akoma më i rëndë është fakti se vetë përfaqësuesja e Presidencës pohoi në gjykatë se, nëse i njëjti proces emërimi do të zhvillohej sot, z. Ols Dado nuk do të mund të emërohej prokuror”, tha Ndreca.
Ndreca thekson se kjo çështje nuk lidhet vetëm me një individ, por me funksionimin e të gjithë sistemit të drejtësisë dhe parimin e barazisë para ligjit në Tiranë.
"Të gjitha këto fakte tregojnë nuk kemi të bëjmë thjesht me mbrojtjen individuale të një prokurori, por me një reagim të koordinuar institucional për të mbajtur në detyrë një subjekt që, sipas provave të administruara në gjykatë, nuk ka pasur kurrë atributet ligjore për të qenë prokuror i Republikës së Shqipërisë. Kur organet kushtetuese të ngarkuara me garantimin e ligjshmërisë së sistemit të prokurorisë dhe integritetit të magjistratëve, në vend që të kërkojnë zbardhjen e së vërtetës juridike, angazhohen në shmangien e saj, atëherë problemi nuk është më individual, problemi bëhet sistemik. Shqetësimi ynë sot është shumë i madh edhe për mënyrën se si do të trajtohet kjo çështje nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë. Sepse pas gjithë këtyre zhvillimeve krijohet natyrshëm dyshimi se gjyqtari i çështjes mund të gjendet nën një presion institucional të jashtëzakonshëm për të mos lejuar që një vendim gjyqësor të ekspozojë dështimin e vetë sistemit për të korrigjuar një problem kaq të rëndë ligjor dhe institucional. Nëse një sistem drejtësie arrin në pikën ku nuk është më në gjendje të korrigjojë një shkelje të tillë edhe kur ajo del e provuar në gjykatë, atëherë problemi nuk lidhet më vetëm me statusin e një prokurori. Problemi bëhet vetë aftësia e sistemit për të zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë edhe për anëtarët e vet. Kjo nuk është më thjesht një çështje mes Erion Veliajt, Bashkisë së Tiranës dhe Ols Dados. Kjo është një çështje që prek vetë mënyrën se si funksionon shteti i së drejtës”.
Avokati Ndreca kërkoi edhe njëherë që seanca e Veliajt për pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados si prokuror të jetë publike, duke theksuar se ligji nuk parashikon asnjë ndalim për median. Sipas tij, kjo çështje po tentohet të kalohet shpejt dhe në errësirë dhe pa u njohur me argumentet publiku. (A2 Televizion)