
Policia e Shkodrës njofton se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit “Vllaznia-Tirana”, që do të zhvillohet të premten e 27 shkurtit, në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Nga ora 06:00 e datës 27 shkurt deri në përfundim të ndeshjes do të ndalohet parkimi dhe qëndrimi i mjeteve në perimetrin e stadiumit, si dhe do të kufizohet qarkullimi, me përjashtim të mjeteve të emergjencës dhe shërbimeve të rëndësishme.
“Informojmë qytetarët se në zbatim të këtyre masave, duke filluar nga ora 06:00 e datës 27.02.2026 deri në përfundim të ndeshjes: Ndalohet parkimi/qëndrimi i të gjitha kategorive të mjeteve në perimetrin e stadiumit “Loro Boriçi”; Kufizohet qarkullimi i mjeteve në perimetrin e stadiumit, me përjashtim të mjeteve të emergjencave dhe të mjeteve të shërbimeve të tjera me rëndësi”, njofton policia.
Nëse do të jetë e nevojshme, policia do të devijojë trafikun në rrugë alternative. Mjetet e parkuara në kundërshtim me masat do të ndëshkohen sipas ligjit dhe do të spostohen me karrotrec.
“Në varësi të situatës, nëse është e nevojshme, sipas masave të parashikuara nga strukturat përgjegjëse, do të devijohet lëvizja e mjeteve nga rrugët afër stadiumit në rrugë të tjera alternative. Gjithashtu, informojmë qytetarët se nëse konstatohen mjete të parkuara në perimetrin e sigurisë së stadiumit, nga ora 06:00 e datës 27.02.2026 deri në përfundim të ndeshjes, do të aplikohen sanksionet ligjore të parashikuara, përfshirë edhe spostimi i tyre me mjete ngritëse”, njofton policia e Shkodrës.
Policia apelon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv.
(A2 Televizion)