Historiania Elena Kocaqi, në një lidhje direkte në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN, ka folur mbi fenomenin e emigracionit dhe samitin për diasporën që u zhvillua në Tiranë.
Ajo theksoi se Shqipëria ka nevojë për zgjidhje konkrete për të ndalur largimin e të rinjve dhe për të krijuar mundësi reale për rikthimin e emigrantëve në vend.
Sipas Kocaqit, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e meritokracisë dhe dështimi për të ndërtuar një sistem funksional gjatë tranzicionit.
“Shqipëria po vuan për meritë, sepse në 35 vjet nuk ngriti një sistem politik meritokratik dhe as një ekonomi tregu të mirëfilltë, por krijoi monopole dhe oligopole. Këto janë dy faktorët kryesorë që kanë larguar rininë nga Shqipëria”, u shpreh ajo.
“Ende politika nuk e kupton që këto dy elemente duhet të korrigjohen. Duhet të merren reforma konkrete, me qëllim që ne t’i japim perspektivë atyre që jetojnë këtu, por edhe atyre që janë larguar”, deklaroi historiania. (A2 Televizion)