Afrim Krasniqi ka ngritur shqetësimin për mungesën e promovimit të letërsisë shqiptare jashtë vendit, duke akuzuar institucionet për një qasje selektive dhe të politizuar. Në Off The Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai tha se ndryshe nga Kosova që ka politika për shpërndarjen e librave përmes ambasadave, Shqipëria nuk ka një strategji të mirëfilltë për promovimin e autorëve të saj në tregun ndërkombëtar.
“E dini që asnjë libër i Shqipërisë nuk shkon në asnjë librari të botës dhe asnjë ambasadë shqiptare. Kosova për shembull ka një politikë që Ministria e Jashtme dhe e Kulturës bëjnë marrëveshje dhe çdo vit të gjitha ambasadat e Kosovës furnizohen me botime. Në Shqipëri të vetmet botime janë kur shkruajnë zyrtarët e lartë”.
Sipas tij në aeroportin e Rinasit, vëmendja i kushtohet kryesisht librave të lidhur me kryeministrin Edi Rama, ndërsa autorë të njohur shqiptarë si Kadareja mbeten në hije.
“Unë isha në Rinas që është libraria e vetme ndërkombëtare që ju keni. Po shikoni isha para ca ditësh dhe po shikoni reklamën e madhe të librave anglisht që shikoni aty. Nuk është më Kadareja. është ka botuar kryeministri një libër, ka botuar kryeministri një album, ka botuar një shoku i kryeministri një libër tjetër. Ata janë vendosur si reklamë e Shqipërisë”, tha Krasniqi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Krasniqi apeloi se Shqipëria duhet të kalojë nga një qasje e fokusuar te politika, në një model që mbështet identitetin letrar në arenën ndërkombëtare. Sipas tij vetëm përmes një strategjie të tillë mund të arrihet një integrim më i natyrshëm kulturor dhe një përfaqësim dinjitoz i vendit jashtë kufijve.
“Ditën që ne ta kthejmë politikën si gjithçka dhe ta kthejmë politikën si shërbim ndaj qytetarëve dhe të nxjerrim vlerat e Shqipërisë, autorët e Shqipërisë, botimet e Shqipërisë, kulturën shqiptare ta eksportojmë dhe ta debatojmë me kolegët tanë Perëndimorë. Kjo do jetë një ditë e një bote më të lirë, e një integrimi normal, e një debati më bashkëkohor. Ne jemi shumë larg asaj dhe kam përshtypjen ne po flasim në këtë studio pa asnjë zyrë shteti nuk po flitet sot kjo gjë”.
(A2 Televizion)