Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare Artan Lame, një nga figurat e njohura të jetës publike shqiptare. Ai drejtoi për disa vite Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), si dhe mbajti poste të tjera shtetërore, duke qenë aktiv në radhët e Partisë Socialiste.
A2 CNN mëson se Artan Lame ndërroi jetë në Mynih ku kishte shkuar për një ndërhyrje në zemër.
Gjatë karrierës së tij, Artan Lame ka mbajtur pozita të rëndësishme, përfshirë ato si zëvendësministër dhe drejtor i Agjencisë së Kadastrës dhe Legalizimeve.
Lame ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame la gjurmë si pjesë e shoqërisë civile dhe si funksionar publik.
Karriera institucionale dhe politike
Artan Lame ka mbajtur një sërë funksionesh të rëndësishme publike:
2000 – Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës
2000-2002 – Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës
2002-2005 – Zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit
2013-2019: Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale).
2019-2021: Drejtor i Përgjithshëm i ASHK (Agjensia Shtetërore e Kadastrës).
Në veprimtarinë politike, Lame ishte anëtar aktiv i Partisë Socialiste, pjesë e Asamblesë Kombëtare dhe kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të viteve 2005, 2009 dhe 2013. Ai kontribuoi gjithashtu në hartimin e programit të PS-së në periudhën 2011–2013.
Kontributi në kulturë dhe akademi
Lame ishte nënkryetar i Federatës së Koleksionistëve Shqiptarë, anëtar i klubeve ndërkombëtare të koleksionistëve dhe studiues i heraldikës. Drejtonte Qendrën Shqiptare të Trashëgimisë dhe ishte lektor në Universitetin “Marin Barleti”.
Botime të rëndësishme
Ndër veprat më të njohura të tij janë:
Tirana në kartolina deri më 1944
Medaljet shqiptare 1914–1944 dhe 1945–2002
Princi i Shqiptarëve
Piramida e Tiranës (bashkëautor me Ardian Klosin)
Tirana, Planin, Building, Living (bashkëautor)
Ai njihej edhe për rubrikat javore “Shqipni e harrume” dhe “Shqipni tavolinash” në revistën “JAVA” dhe gazetën “SHQIP”.
Vlerësime dhe dekorata
Në vitin 2010, Lame u vlerësua me çmimin ndërkombëtar “Book of the Year” nga MIC London për veprën e tij “Medaljet shqiptare 1914–2002”. Në vitin 2012, Presidenti i Republikës e dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin e tij në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. (A2 Televizion)