Ndarja nga jeta e Zhejit, reagon Kurti: Gazetar i rrallë e patriot! Ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja e Kosovës

Nga A2 CNN
24 Gusht 2025, 11:42 | Aktualitet

Ndarja nga jeta e Zhejit, reagon Kurti: Gazetar i rrallë e patriot! Ndihmoi

Për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Në një postim në rrjete sociale, Kurti e vlerëson atë si një gazetar të rrallë dhe patriot, teksa kujton bisedat që ka zhvilluar me të.

Kurti përmend gjithashtu edhe angazhimin e Zhejit në ndërkombëtarëzimin e çështjes së Kosovës.

“Artur Zheji, personalitet i medias së shkruar e asaj televizive është ndarë dje prej nesh në moshën 64-vjeçare. I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen.

I ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami.

Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri.

Familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut të Petro Zhejit, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe!”, shkruan Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos