
Shqipëria do të rrisë forcat aktive me 30% dhe do të mbajë mbi 700 rekrutime për të forcuar kapacitetet dhe shtrirjen territoriale. Këtë deklaroi Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu në një konferencë për shtyp.
“Synojmë të kemi një rritje domethënëse me 30 për qind të forcave aktive dhe do të vijojmë të kemi minimalisht mbi 700 veta që rekrutohen. E bëjmë për dy arsye: sepse cikli i mjeteve të reja të artilerisë dhe kapacitetet kërkojnë personel të specializuar; e dyta, kjo bëhet me shtrirjen territoriale të forcës që ishte tkurrur; e treta bëhet me konceptin si një shportë e burimeve kombëtare”, u shpreh ai.
Ai theksoi rëndësinë e kompleksit portual Durrës-Porto Romano dhe hekurudhës së korridorit 8, duke përfshirë edhe plane për dislokim të mjeteve ajrore dhe bashkërendim civile-ushtarak.
“Është e sanksionuar që është kompleksi Durrës Porto Romano. Durrësi ka dy porte dhe do të vijojë të ketë. Pjesa hekurudhore e korridorit të 8 nisë në Porto Romano dhe po merren masa që të bëhen financime dhe të nisë ndërtimi. Hekurudha është shumë e rëndësishme për aleancën; është kompleksi portual në tërësi që është pjesë e korridorit. Një tjetër element me rëndësi është edhe se çfarë bëjmë përgjatë këtij aksi. Na duhet të kemi një infrastrukturë civile-ushtarake në mbështetje të këtij aksi, në mënyrë që trupat tona të shpërndahen. Ndwrlidhja dhe telekomunikacioni në këtë zonë ka nënkomponente të rëndësishme dhe këto janë të sanksionuara në planin tonë”, theksoi ai (A2 Televizion)