Ceremonia e lamtumirës për Servet Pëllumbin, homazhe në TKOB

Nga A2 CNN
6 Maj 2026, 11:20 | Aktualitet

Ceremonia e lamtumirës për Servet Pëllumbin, homazhe në TKOB

Prej orës 9:00 të mëngjesit kanë nisur homazhet zyrtare për nder të profesor të Servet Pëllumbit në Teatrin kombëtar të Operas dhe Baletit. Në orën 13: 00 kortezhi do të niset për në varrezat e Sharrës, ku do të prehet edhe trupi i profesor Servet Pëllumbit.

Servet Pëllumbi u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një rol kyç në momentet më të rëndësishme të fillimit të demokracisë, ku vendimet e tij u kthyen në pikë referimi për rrugëtimin politik dhe institucional të vendit. Të shumta ishin mesazhet e ngushëllimit nga familja e tij politike.

Ai është konsideruar si një ndër figurat kyçe të tranzicionit demokratik shqiptar dhe një kontribues i madh i Partisë Socialiste.

I lindur në 14 dhjetor 1936 në Korçë, Sebep Pëllumbi mbylli sytë në moshën 89 vjeçare. Ai u shua pak përpara ditëlindjes së 35 të Partisë Socialiste, partisë të cilës ai dha një kontribut të çmuar që në fillimet e saj. Për t'i dhënë lamtumirën profesor Servet Pëllumbit, kryesocialisti Edi Rama ka zgjedhur një foto emblematike të shkrepur në 28 maj të vitit ‘96, kohë kur në cilësinë e nënkryetarit ai drejtonte partinë në opozitë, ndërsa kryetari i ndjerë Fatos Nano ndodhej në burg.

“Lamtumirë profesor i dashur!”, ka shkruar kryeministri Rama në faqen e tij në Facebook krahas fotografisë së shpërndarë prej tij.

Servet Pëllumbi i njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë me pjesëmarrje aktive në komisione të ndryshme parlamentare.

Në vitin 2002 ai u zgjodh kryetari i parlamentit post të cilin e mbajti deri në vitin 2005. “Politikan tolerant, mendimtar, vizionar”, shkruan mes të tjerave kryetari i Kuvendit Niko Peleshi në rreshtat e dedikuar humbjes së profesor Serbet Pëllumbit.

Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka shprehur dhimbjen për humbjen e Pëllumbit, profesorit të madh sipas tij, që i dha Partisë Socialiste shumë vlera në kohë të vështira kur ju desh që ta drejtonte.

Kujtojmë se Servet Pëllumbi u diplomua për studimet e larta në Universitetin e Shën Peterburgut me titullin Doktor i shkencave në letërsi. Nga viti 1960 deri në vitin 1963 ai punoi si pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ushtroi këtë profesion deri në vitin 1977. Në po këtë vit ai u zgjodh anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë së Punës.

Për gati tre vjet ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës, autor i dhjetëra librave dhe studimeve në filozofi, politikë dhe demokraci.

Ndryshimet demokratike në vitin ‘90 e pozicionuan Servet Pëllumbi në postin e nënkryetarit të Partisë Socialiste si pjesa konservatore e kësaj partie përballë rrymës liberale të Fatos Nanos. Këtë post ai e mbajti deri në vitin 1996.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos