“Nuk ka tolerancë për informalitetin”, Hoxha: Nga sot intensifikojmë kontrollet, është luftë e të gjithëve

Nga A2 CNN
23 Tetor 2024, 10:57 | Aktualitet

“Nuk ka tolerancë për informalitetin”, Hoxha: Nga sot

Informaliteti nuk është vetëm fenomen që ul të ardhurat, por na dëmton të gjithëve. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Ervin Hoxha në takimin për informalitetin e pagave, sipas të cilit çdo devijim është akt i pastër vjedhjeje dhe kështu do të trajtohet. Ai theksoi se nuk do të ketë tolerancë për këtë krim dhe tha se nuk është vetëm luftë e qeverisë, por e të gjithëve,

“Përgjegjësia  e personit juridik po ashtu, punësimi i paligjshëm, mospagimi i taksave e të ardhurave, shpërdorimi i detyrës nga administratorët, moslëshimi i kuponit tatimor janë akte të dënueshëm dhe përbëjnë krim ekonomik”, citon A2 Hoxhën.

Hoxha njoftoi se nga sot sektori i krimit ekonomik në polici “do të intensifikojë kontrollet në terren dhe do të ndjekë rastet e fshehjes së të ardhurave, mashtrimit me kontributet shoqërore, apo shmangies së detyrimeve fiskale”.

“Do të ketë hetime të thelluara dhe analiza financiare për të ndëshkuar ato grupe e individë që përfitojnë nga informaliteti. E reja është se kjo nuk është përpjekje administrative, por luftë ndaj asaj që e klasifikojmë si krim që prek shoqërinë dhe frenon rritjen ekonomike”, theksoi ministri.

Hoxha shprehu vendosmërinë për të zbatuar të gjitha masat që garantojnë tregun e punës dhe tha se rezultatet do të jenë domethënëse sikurse në dekadën e fundit.

“Policia do të zbatojë me vendosmëri çdo masë që garanton tregun e punës. Kjo është betejë që nuk ka vend për tolerancë, me gjithë vështirësitë. Policia udhëhiqet nga informacioni që vjen nga agjencitë që bashkëpunon. Kjo nuk është luftë vetëm e qeverisë, por e të gjithëve. Është detyrë e çdo punëdhënësi të respektojë të drejtat e punonjësve të tij. Vullnet dhe angazhim maksimal, sikurse në dekadën e fundit, si vjedhja dhe abuzimi me energjinë dhe ndërtimet pa leje, rezultatet do të jenë domethënëse”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos