Ortekët e borës bllokojnë rrugën Qafë Thore–Theth

Nga A2 CNN
14 Janar 2026, 14:53 | Aktualitet

Ortekët e borës bllokojnë rrugën Qafë Thore–Theth

Rruga Qafë Thore–Theth është bllokuar plotësisht si pasojë e rënies së ortekëve në zonën pranë tuneleve panoramike. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se situata paraqet rrezik të lartë për kalim, duke detyruar mbylljen totale të qarkullimit për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese.

Sipas njoftimit zyrtar, për arsye sigurie nuk lejohet asnjë lëvizje në këtë segment, pasi ekziston mundësia e rënies së ortekëve të tjerë, të cilët mund të rrezikojnë jetën e drejtuesve të mjeteve dhe të punonjësve në terren. Kushtet atmosferike dhe terreni i thyer e bëjnë ndërhyrjen të vështirë dhe kërkojnë masa të kujdesshme.

“Si pasojë e rënies së ortekëve në zonën pranë tuneleve panoramike, rreth km 5.5 të aksit Qafë Thore-Theth, rruga është bllokuar plotësisht. Për arsye sigurie, qarkullimi do të qëndrojë i mbyllur për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese, pasi zona paraqet rrezik të lartë për kalim. Ndërkohë, në afërsi të zonës së rrezikuar, po punohet për largimin e ortekëve të vegjël dhe për zgjerimin e pjesës kaluese, si punë përgatitore për ndërhyrjen në zonën e bllokuar. U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën, të shmangin këtë aks dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për përditësime të mëtejshme”, thotë ARRSH. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos