Pak orë përpara mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku do të zgjidhet drejtuesi i ri i SPAK, faktori ndërkombëtar ka dhënë mesazhet e para. Në një takim të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, kërkoi që anëtarët e KLP-së të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së.
“Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, u shpreh ambasada e BE-së.
Pjesë e thirrjeve u bë edhe kreu i ambasadës britanike në Tiranë ku ka kërkuar që zgjedhja e kreut të ri të SPAK të bëhet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente.
"Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer", theksoi Ambasada Britanike.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të zgjedhë në mbledhjen e së enjtes, kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme duke përfunduar epokën tre vjeçare Dumani.
(A2 Televizion)