“Përmes rrënjëve lartësohemi”, shqiptarë nga mbarë bota bëhen bashkë në Tiranë në Samitin e Diasporës

Nga A2 CNN
13 Prill 2026, 19:33 | Aktualitet

“Përmes rrënjëve lartësohemi”, shqiptarë

Nisi sot në Tiranë, Samiti i IV i Diasporës, një ngjarje e rëndësishme kombëtare që mbledh shqiptarët nga të katër anët e botës, në një platformë unike bashkëpunimi, promovimi të identitetit dhe zhvillimi.

Samiti, që do të mbahet në datat 13,14 dhe 15 prill me logon “Përmes rrënjëve lartësohemi” përfaqëson një bashkim simbolik dhe real zemrash shqiptare, duke sjellë së bashku përfaqësues të diasporës, institucioneve shtetërore, biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile, me qëllim forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë saj.

“Përmes rrënjëve lartësohemi”, shqiptarë

Diskutimet janë konceptuar në 18 panele përgjatë tre ditëve, që do të trajtojnë fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve nga Diaspora, rolin e saj në promovimin e turizmit dhe imazhit të vendit, si dhe rëndësinë e transferimit të njohurive dhe eksperiencës në fushat e arsimit, shkencës dhe inovacionit. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ruajtjes së identitetit kulturor dhe gjuhësor, përfshirjes së të rinjve të diasporës në zhvillimet shoqërore dhe politike, si dhe ndërtimit të urave të qëndrueshme të komunikimit mes profesionistëve shqiptarë në mbarë botën.

“Përmes rrënjëve lartësohemi”, shqiptarë

Gjithashtu, panelet do të adresojnë sfidat dhe mundësitë që lidhen me digjitalizimin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e politikave publike për Diasporën, duke synuar krijimin e një vizioni të përbashkët për të ardhmen dhe forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që jetojnë.

Në ceremoninë e mirëseardhjes që u mbajt sot në Pallatin e Kongreseve, Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekoroi personalitete të Diasporës shqiptare të spikatur në fushat e tyre. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos