“Plagosja e protestuesve e paralajmëruar” PD: Policia sulmoi selinë me gaz lotsjellës, me urdhër të Ramës

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2026, 21:24 | Aktualitet

“Plagosja e protestuesve e paralajmëruar” PD: Policia sulmoi

Partia Demokratike ka akuzuar policinë për hedhjen e gazit lotsjellës në mjediset dhe zyrat e drejtuesve të PD-së. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, zyra e shtypit e PD-së denoncon forcat e Policisë, që sipas PD, kanë sulmuar selinë e opozitës pas protestës paqësore, e duke sjellë kaos, të lënduar dhe të plagosur.

“Sasi të mëdha gazi lotsjellës janë hedhur në oborrin, mjediset dhe deri te zyrat e drejtuesve të Partisë Demokratike, forca kryesore e opozitës, pak minuta pas protestës kombëtare të 20 shkurtit, e organizuar në bashkëpunim me një grup intelektualësh të pavarur, nën siglën e Forumit të Dialogut Qytetar, në përkujtim të rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha dhe revoltës për skandalet korruptive të qeverisë Rama. Forcat e Policisë kanë sulmuar selinë e forcës kryesore të opozitës pas një proteste paqësore, e disata në dy muajt e fundit, duke sjellë kaos, të lënduar dhe të plagosur”.

Sipas PD-së gazi lotsjellës ka ndikuar dhe ndërprerë dhe faljen e besimtarëve myslimanë të cilët janë në ditën e të tretë të muajit të Ramazanit, ndërsa plagosja e protestuesve, sipas saj ishte një akt i paralajmëruar nga policia.

“Raportohen disa të plagosur në anën e protestuesve, një akt i paralajmëruar nga deklarata e policisë sot, e cila shmangu përgjegjësinë duke thënë se nuk e garantonte protestën e sotme, duke shpërfillur kështu një prerogativë kushtetuese”.

“Partia Demokratike dënon me forcë dhunën e përdorur nga narkopolicia, plagosjet me plumba gome, përdorimin e gazit lotsjellës dhe mosrepektimin e së drejtës kushtetuese për protestë.

Partia Demokratike mban përgjegjës direkt drejtorin e Policisë të lidhur me bandat kriminale, ministren e Brendshme dhe Kryeministrin Rama, urdhri i të cilit qëndron pas kësaj dhune të pashembullt policore dhe politike”, përfundon deklarata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos