Prezantohet Operatori Kombëtar i Ujit, Rama: Borxhet e larta dhe politizimi ekstrem, katastrofë

Nga A2 CNN
3 Shtator 2025, 11:24 | Aktualitet

Prezantohet Operatori Kombëtar i Ujit, Rama: Borxhet e larta dhe politizimi

Fragmentimi në emër të decentralizmit i sistemit të shpërndarjes së ujit nga 58 ndërmarrje ishte një katastrofë e vërtetë. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në prezantimin e Operatorit Kombëtar të Ujit, sipas të cilit borxhet dhe paaftësia në menaxhim e lidhur me politizimin ekstrem çuan në situata shumë të pajustifikueshme.

“Fragmentimi në emër të decentralizmit i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte një katastrofë e vërtetë dhe borxhet e larta, paaftësia në menaxhim e lidhur me politizimin ekstrem të burimeve njerëzore në këto ndërmarrje dhe mungesa e ekspertizës, shoqëruar me mungesë investimesh në mirëmbajtje sollën situata shumë të pajustifikueshme".

Duke pasur parasysh edhe sfidën e vendit tonë në turizëm, Rama tha se kërkesa për ujë, në sezonin e pikut turistik rritet në mënyrë marramendëse. Ai kritikoi edhe pushtetin vendor, teksa solli në vëmendje edhe Vlorën. 

“Ne kemi bërë investime masive dhe po të shohim hartën sot nga 4 zona që furnizoheshin me ujë në 2013 dhe me humbje në rrjet që shkonin afro 70%, kemi një panoramë tërësisht ndryshe, por  jo me sfidën që kemi dhe në kushtet kur duam të shkëlqejmë në turizëm dhe kur volumi i kërkesës për ujë, posaçërisht në sezonin e pikut turistik rritet në mënyrë marramendëse, ndërkohë që kapaciteti për furnizim është tërësisht i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm. Po ju sjell vetëm shembullin e Vlorës që e nisi sezonin turistik me një situatë të papranueshme të alarmit të zonave të tëra të furnizimit me ujë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos