Një muaj nga vrasja e nxënësit 14-vjeçar Martin Cani prindërit e tij kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes pa manipulime.
Përmes një letre dërguar zyrtarëve më të lartë të shtetit, të qeverisë, kreut të opozitës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, prindërit e Martinit, Angel dhe Florina Cani, bëjnë thirrje për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve.
Deklarata e familjes Cani do të lexohet nga vetë prindërit e Martinit, në protestën e së mërkurës para shkollës “Fan Noli”.
Tubimi i njoftuar nga komuniteti i prindërve zhvillohet një muaj nga vrasja e 14- vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij. Reagimi i familjes së Martin Canit dhe komunitetit të prindërve ka ardhur pas kërkesës së autorit të ngjarjes për daljen nga burgu dhe zëvendësimin e masës së sigurisë për shkaqe shëndetësore.
Por Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për 14 vjeçarin Mario Përlleshi, që dyshohet se vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij. (A2 Televizion)