Emocione dhe gol spektakolar, Shqipëria mund Finlandën dhe marshon në krye

Nga Dea Kozma
13 Nëntor 2026, 11:46 | Futboll

Një mbrëmje kuqezi që i kishte të gjitha: gola spektakolarë, emocione, histori dhe mbi të gjitha një fitore me peshë të madhe për objektivat e Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Në një stadium të mbushur plot, me më shumë se 20 mijë tifozë në shkallët e stadiumit, Kombëtarja shqiptare mposhti 2-0 Finlandën, duke marrë njëkohësisht kreun e grupit C1. Ernest Muçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 35-të me një goditje fantastike nga jashtë zonës, ndërsa Rey Manaj vulosi suksesin në pjesën e dytë. Finlanda mbeti edhe me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Teho-s në minutën e 67-të. Kuqezinjtë tentuan deri në fund për të shënuar dhe golin e tretë por rezultati nuk ndryshoi

Kjo mbrëmje kishte emocione që në nisje të takimit . FSHF organizoi një ceremoni të veçantë për Armando Sadikun, i cili i dha lamtumirën futbollit të luajtur. Një homazh për sulmuesin që shënoi emrin në historinë e Shqipërisë me golin ndaj Rumanisë në Europianin e vitit 2016.

Megjithatë, momenti më emocionues i mbrëmjes erdhi nga tribunat. Tifozat Kuqezi shpalosën një banderolë në mbështetje të Erion Vishkullit, tifozit të lënduar gjatë protestës në Tiranë. Mesazhi “VETËM FITORE”, shoqëruar me imazhin e tij, përcolli një mesazh solidariteti që shkoi përtej futbollit.

Me këtë sukses, Shqipëria ngjitet në kuotën e 12 pikëve, dy më shumë se Bjellorusia, ndërsa Finlanda mbetet me 7 dhe San Marino me zero. Kuqezinjtë kanë siguruar tashmë minimalisht vendin e dytë dhe pjesëmarrjen në play-off për ngjitjen në Ligën B. Të dielën, ndaj Bjellorusisë, do të luhet gjithçka për vendin e parë. Një fitore, një barazim dhe një tjetër natë që Shqipëria kërkon ta mbyllë me festë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos