Thellimi i bashkëpunimit në fusha si rendi publik, lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve kibernetike ishte në fokus të takimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, gjatë takimit në Arabinë Saudite me ftesë të homologut të tij, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, policia njofton se palët ranë dakord të rrisin shkëmbimin e eksperiencave, të forcojnë bashkëpunimin operativ dhe të zhvillojnë trajnime të përbashkëta.
“Jemi të interesuar ta thellojmë bashkëpunimin me Policinë shqiptare, jo vetëm në fushën e rendit dhe sigurisë publike, por në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, tha Al-Bassami.
Gjatë takimit, dy drejtorët theksuan nevojën e zgjerimit të marrëdhënieve mes dy policive, në fusha me interes të përbashkët.
“Jemi të gatshëm të intensifikojmë trajnimet e përbashkëta, të zhvillojmë projekte pilot dhe të punojmë në ngritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale, në dobi të të dyja vendeve tona. Propozimi për të ndërtuar ura komunikimi të drejtpërdrejta ndërmjet strukturave operative të dy policive, përmes planeve të përbashkëta të veprimit dhe nismave të trajnimit, përbën një hap konkret për thellimin e bashkëpunimit”, u shpreh Proda.
Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar zhvilloi takime edhe me drejtues të sigurisë së Mekës dhe Medinës, duke shkëmbyer eksperienca për menaxhimin e sigurisë gjatë grumbullimeve masive.
(A2 Televizion)